Për nder të 28 Nëntorit – Dita e Flamurit
Oda Ekonomike Shqiptare, nën udhëheqjen e Kryetarit z. Hyzer Gashi, publikon për herë të parë për opinionin e gjerë projektin strategjik “Hekurudha Nëntokësore Prishtinë–Tiranë”, një vizion modern që synon të transformojë lëvizjen, ekonominë dhe bashkëpunimin ndërshqiptar.
Projekti, i bazuar mbi masterplanet ekzistuese të qeverive respektive, parasheh një linjë të avancuar hekurudhore nëntokësore me gjatësi rreth 106 km, që do të lidhë dy kryeqytetet shqiptare me teknologjinë më të re të transportit. Ky projekt inovativ, i hartuar në kuadër të iniciativave zhvillimore të Odës Ekonomike Shqiptare, synon të krijojë një standard të ri të mobilitetit rajonal dhe të ndikojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare.
Sipas vlerësimeve teknike, hekurudha e re do të mundësojë udhëtim 25–32 minuta nga Prishtina në Tiranë, ndërsa vlera investuese parashikohet midis 12.7 dhe 31.8 miliardë euro, në varësi të skenarëve të zbatimit dhe specifikave teknike të tuneleve nëntokësore.
Ky projekt e pozicionon Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e infrastrukturës së avancuar evropiane, duke hapur rrugë për financime ndërkombëtare, partneritete strategjike dhe rritje të qarkullimit ekonomik.
Në këtë ditë të shenjtë të unitetit kombëtar – 28 Nëntorit, Oda Ekonomike Shqiptare thekson përkushtimin e saj për projekte madhore që afrojnë shqiptarët, forcojnë ekonominë dhe ndërtojnë të ardhmen e përbashkët.
Me respekt,
Oda Ekonomike Shqiptare
Kryetar: z. Hyzer Gashi

