Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Kamëz, pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova”. Një sherr mes nxënësve ka degjeneruar në përdorimin e thikës, duke lënë të plagosur dy 16-vjeçarë.
Sipas burimeve policore, konflikti nisi fillimisht brenda oborrit të shkollës dhe më pas u zhvendos jashtë saj. Në përplasjen fizike u përfshinë disa nxënës të gjimnazit, ndërsa dy prej tyre mbetën të plagosur rëndë.
Të plagosurit janë identifikuar me inicialet B.T. dhe A.L.. Burime mjekësore bëjnë të ditur se B.T. ka marrë goditje me thikë në kraharor dhe ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa A.L. është jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër nxënës ka pësuar lëndime të lehta.
Policia e Kamzës ka shoqëruar disa persona të dyshuar dhe po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Sipas autoriteteve, pritet që dëshmitë e nxënësve të ndihmojnë në zbardhjen e konfliktit.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek prindërit dhe komuniteti lokal, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në shkolla dhe masat parandaluese ndaj dhunës mes nxënësve.

