Face News

Opinion

Të bukurat e pushtetit dhe pushteti i të bukurës

Të bukurat e pushtetit dhe pushteti i të bukurës

Sot, një mikeshë virtuale më pyeti në një mesazh privat:

“Çfarë mendon për batutën e Trump ndaj Melonit?”

Ajo shtoi:“Për mendimin tim, ai po komunikon diçka në mënyrë subliminale, pa e thënë hapur.”

Një pyetje e tillë të çon përtej lajmit vetë. Të nxit të reflektosh jo vetëm mbi njerëzit në skenën politike, por mbi karakteret, arketipat dhe mënyrën si energjitë njerëzore manifestohen përmes fjalës dhe pushtetit.

Çdo njeri mbart karakteristikat e veta dhe në këtë shumësi, astrologjia e lashtë i ka përmbledhur në 12 arketipa, të njohur si shenjat e zodiakut. Donald Trump, për shembull, është Binjak: një shenjë që përfaqëson dualitetin, komunikimin, por edhe sipërfaqësinë. Binjakët nuk e njohin qendrën; ata jetojnë mes dy poleve: mes dritës dhe hijes, mes fjalës dhe mashtrimit.

Por përtej astrologjisë, le të shohim teatrin global të politikës, ku gjithçka përsëritet me maska të reja. Në samitin e Gazës në Sharm el-Sheikh, Trump, në stilin e tij të njohur, e komplimentoi Kryeministren italiane Giorgia Meloni për “rininë dhe bukurinë e saj”.
Një batutë që mund të tingëllojë e padëmshme, por që në thelb është simptomë e një semundjeje të lashtë: erotizimit të pushtetit dhe shndërrimit të gruas në pasqyrë të egos mashkullore.

Trump është arketipi modern i Dionisit të shfrenuar: ai që përzien pushtetin me dëshirën, politikën me narcisizmin, dhe e sheh botën si arenë të vetëpasqyrimit.
Meloni, nga ana tjetër, mishëron arketipin e femrës që ngjitet në një botë mashkullore, por që është e detyruar të buzëqeshë për të mos u quajtur histerike.
Në këtë buzëqeshje, ajo fsheh një sistem të tërë presionesh, një ritual të heshtur në altarin e diplomacisë.

Në planin ezoterik, kjo është vallëzimi i Binjakëve: e ajrit dhe e dualitetit, që shpreh njëkohësisht komunikimin dhe mashtrimin.
Trump flet për të sunduar.
Meloni buzëqesh për të mbijetuar.
Fjala bëhet armë; buzëqeshja bëhet mburojë.

Kështu funksionon loja e pushtetit në epokën moderne: fjala si joshje, fjala si kurth, fjala si pushtet.
Dhe aty ku mungon dashuria e vërtetë, fjala humbet shenjtërinë e saj dhe kthehet në instrument manipulimi. Komplimenti humbet nxehtësinë njerëzore dhe bëhet magji e ftohtë retorike: një pasqyrë ku gruaja nuk sheh shpirtin, por vetëm imazhin e vet të konsumuar.

Në plan shoqëror, kjo është fytyra e pushtetit që i vesh hipokrizisë petkun e karizmës.
Në plan shpirteror, është dëshmia e harrimit të diferencës mes Erosit dhe Egòs, mes dashurisë që ngre dhe dëshirës që sundon.

Në fund, kjo skenë nuk është as amerikane, as italiane: ajo është universale.
Sepse çdo “Binjak”, qoftë në pushtet apo në dashuri, jeton të njëjtin paradoks: dëshiron të kontrollojë tjetrin përmes fjalës, por përfundon rob i fjalës së vet.

Ky është ligji i pasqyrës:
Ai që flet për të sunduar, humbet fuqinë kur fjala i kthehet si reflektim.

Prandaj, për të gjithë ata që adhurojnë liderët karizmatikë dhe besojnë se komunikimi është pushtet, kujtoni këtë:
fjalët janë pasqyra magjike.
Nëse i përdor për t’u dukur, ato do të kthehen për të zbuluar fytyrën tënde të vërtetë.

Të Ngjashme

Kryesore Opinion

Tekno-konkurrenca dhe gjeopolitika

Tekno-konkurrenca dhe gjeopolitika Lufta e re e ftohtë ndërmjet SHBA-së dhe Kinës vjen ngaqë kemi një përplasje të madhe ndërmjet
Aktualitet Bota Kryesore Opinion Politike Rajoni

Samiti i Rios korrik 2025 provë e rëndësishme për të ardhmen e BRICS!

BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) është një platformë e rëndësishme e cila doli me ambicien për